LINJA KOMBËTARE PËR INTERNET TË SIGURT NË SHQIPËRI
ALBANIAN NATIONAL HOTLINE FOR INTERNET SAFETY

Udhëzime për Prindërit

You are here

SI TA BËJ INTERNETIN TË SIGURT PËR FËMIJËT E MI?

 

Udhëzues Praktik për Prindërit

 

1. Çfarë është interneti?

Interneti është sistem global i rrjetave të ndërlidhura kompjuterike të cilat bëjnë shkëmbimin elektronik të të dhënave (tekst, muzikë video, fotografi, etj) nëpërmjet përdorimit të kabllove te bakrit, fibrave optike, lidhjeve pa tela dhe teknologjive të tjera. Këto informacione mund të lexohen, shikohen apo shkarkohen nga përdoruesit e tjerë. Pra interneti mundëson praktikisht komunikimin nga një pajisje kompjuterike në tjetrën.

 

Interneti përdoret më shpesh për:

  • Mësuar (duke pasur akses në informacion, njohuri, opinione, mjete edukuese);
  • Komunikuar (shprehin ide, shpërndajnë informacione dhe eksperienca);
  • Komunikuar për arsye pune;
  • Komunikuar me miqtë dhe kolegët;
  • Krijuar apo ndarë materiale;
  • Luajtur dhe për t’u argëtuar (lojrat online,filmat, muzika, librat, etj.)

Interneti si një mjet i domosdoshëm komunikimi në ditët e sotshme klasifikohet në tre kategori: 1. Surface web 2. Deep web dhe 3. Dark web.

 

Surface web

Surface web është web-i i dukshëm për të gjithë përdoruesit e internetit. Faqet e  web-it indeksohen nga motorët e kërkimit. Google, yahoo, ask, bing etj janë disa nga motorrët e kërkimit që ne përdorim për të marrë informacion. Aspekti interesant është që surface web apo pjesa që ne përdorim është vetëm 4% e internetit. Interneti është një vend shumë herë më i madh.

 

Deep web

Deep web është web sekret i cili nuk është i dukshëm për përdoruesin normal. Deep web përbëhet nga një faqe interneti e cila nuk indeksohet nga motorët e kërkimit. Përdoruesi mund të hyjë në të vetëm nëse ai / ajo është një person i autorizuar për të hyrë në të dhe ka  leje si (Url, emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin etj). Deep web përdoret për të ruajtur shumicën e informacionit personal si (Ruajtje në cloud, çdo të dhënë personale të organizatës, të dhëna ushtarake etj).

 

Dark web

Dark web është pjesa më e rrezikshme e internetit. Dark web është i paligjshëm për t’u përdorur. Të gjitha aktivitetet kriminale veprojnë në dark web. Në këtë pjesë të internetit kryhen aktivitete si trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike, planifikimi i vrasjeve, akteve terroriste, pornografia, shitja dhe trafikimi i armeve. Në dark web janë të stacionuar hakerat dhe të gjithë ata qe e përdorin internetin për shfrytëzim dhe vjedhjen e të dhënave.

 

Rrjetet Sociale

Në ditët e sotme të gjithë jemi prezent në internet dhe sidomos në rrjetet sociale. Rrjetet sociale si facebook, Instagram,linkedin, snapchat, tiktok etj janë ndër rrjetët më të përdorura ku secili prej nesh. Në shumicën e rasteve profilet janë publike. Ekspozohet pafund informacion personal dhe i aktiviteteve të përditshme.

 

Cfarë ekspozon një postim?

Zonën ku jetojnë apo zhvillojnë aktivitet fëmijët. Ky informacion mund të përdorët nga persona të tjerë te cilat mund të mashtrojnë familjet duke u paraqitur si miq të familjes, stafeve akademike të shkollës apo mund të qëndrojne dhe vëzhgojnë vende ku fëmijët zhvillojnë aktivitete sportive dhe kulturore. Në këtë mënyrë ata fitojnë besimin e fëmijëve dhe kujdestarëve dhe me vonë mund të ngacmojnë apo abuzojnë fëmijët.

 

2. Pse një Udhëzues për prindërit

 

Ndërsa eksplorimi në internet hap një botë të pafund të mundësive për fëmijët duke zgjeruar horizontet e tyre, në të njëjtën kohe i ekspozon edhe ndaj një sërë rreziqesh. Ashtu si në jetën e përditshme, edhe në jetën online ka individë të cilët përpiqen të abuzojnë dhe shfrytëzojnë seksualisht fëmijët apo adoleshentët. Këta individë i joshin fëmijët gradualisht, duke iu ofruar fëmijëve dashuri, mirësi, duke iu kushtuar vëmëndje, madje ndonjëhere edhe duke iu dhënë dhurata, deri sa të arrijnë qëllim final të tyre. Si prind është detyra dhe përgjegjësia juaj që të krijoni dhe mbani një mjedis sa më të sigurt për fëmijën tuaj edhe gjatë aktivitetit online, duke u interesuar për aktivitetin online të fëmijës apo fëmijëve tuaj, pasi gjithmonë ekzistion rreziku që ose fëmija të vendoset në një kontakt me një të panjohur apo ka raste kur fëmija juaj nxit bulizmin dhe urrejtjen online ndaj fëmijëve apo njerëzve të tjerë.

E megjithatë jo të gjithë prindërit janë të gatshëm të përballen me realitetin e dhunës në internet, bulizmit apo shfrytëzimit të fëmijëve nga grabitqarët seksuale. Ky udhëzues kërkon që t’i shpjegojë në mënyrë të thjeshtë të gjithë pridërve se çfarë mund të bëjnë ata për ta bërë internetin një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm për këdo.

Në këtë kuadër iSIGURT dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, si të vetmet organizata që punojnë në këtë fushë për mbrojtjen e fëijëve dhe informimin e publikut të gjerë për sigurinë në internet, ka përgatitur një sërë manualesh dhe udhëzuesish për prindërit, fëmijët, mësuesit, punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve, punonjësit e policisë etj, sesi mundet gjithësecili të rrisë e fuqizojë mbrojtjen e fëmijëve gjatë navigimit të tyre në internet.

Ndërkohë, për çdo incident që ndodh në internet, kurdo kur dikush ndeshet  me faqe të paligjshme apo informacion të papërshtatshëm për fëmijët, ne kemi ndërtuar një platformë të posaçme, ku çdokush mund të denoncojë në çdo moment dhunë seksuale online, dhunën apo ngacmimet, bisedat e pakëndshme, dërgimin e fotove të pakërkuara apo pornografike etj.

Dita e Internetit të Sigurt organizohet çdo vit në muajin shkurt për të nxitur përdorimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të internetit dhe teknologjisë nga fëmijët dhe të rinjtë. Prindërit janë aktorë shumë të rëndësishëm dukë qënë kontakti i parë me fëmijët me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për rreziqet që mund të ndeshin në internet.  

Siç do ta shpjegojmë në pjesën e fundit të këtij udhëzuesi, Platforma Kombëtare www.ISIGURT.al është në dispozicion të kujtdo për të raportuar gjatë 24 orëve në 7 ditë të javës çdo incident që ndodh apo ka ndodhur gjatë navigimit në internet. Në këtë kuadër ne ju ftojmë: Raportoni menjëherë! Mbroni fëmijët!

 

3. Rreziqet me të cilat mund të ndeshen fëmijët dhe adoleshentët online

 

Ditët e sotme përdorimi i internetit është bërë pjesë e pandashme e aktivitetit ditor të fëmijëve. Teknologjite të tilla, pavarësisht se janë shumë të vlefshme dhe të nevojshme. mund t'i ekpozojnë fëmijët ndaj disa rreziqeve dhe abuzimeve. Disa nga rreziqet me të cilat fëmijë mund të ndeshen në internet janë:

 

Cyber-bulling

Ky është një term i përdorur për të përcaktuar format e ndryshme të abuzimit psikologjik gjatë aktivitetit online të fëmijëve. Cyber bullying është terminologji që përdoret kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar, apo poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe,fotografi dhe video. Disa shembuj të cyberbulling janë:

  • tallje e përsëritur ndaj një personi duke përdorur nofka dhe epitete;
  • dërgimi i mesazheve turpëruese nëpërmjet internetit;
  • Dërgimi i përmbajtjeve të turpshme, fyese dhe kërcënuese nëprmjet aplikacioneve online të ndryshme;
  • Dërgimi i mesazheve elektronike me gjuhë vulgare;
  • Dërgimi ose postimi i thashethemeve në lidhje me një person për të dëmtuar reputacionin e tij/saj;
  • Hapja e llogarive në rrjete të ndryshme në emër të dikujt tjetër dhe postimi i përmbajtjeve dhe materialeve me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij/saj;
  • Postimi dhe ndarja e sekreteve, informacioneve të turpshme apo imazheve online; 
  • Postimi I fotove dhe videove të dikujt pa pëlqimin e tij/saj;

Forma të tilla të cyber-bulling pothuajse ndeshen në të gjitha rrjetet sociale por edhe në të gjitha platformat e tjera të komunikimit dhe ndërveprimit online.

 

Shtytja e fëmijëve për të kryer marrëdhënie seksuale (Grooming)

Është përgatitja dhe manipulimi psikologjik i një fëmijë me qëllim shfrytëzimin seksual.

  • Hapi i parë që bën një groomer (abuzuesi) është fitimi i besimit të fëmijës me qëllim paraqitjen veprimeve të tij si të dobishme për vetë fëmijën;
  • Kjo mund të ndodhë në kontekstin e komunikimit privat nëpërmjet programeve të komunikimit (messenger, dhoma chati etj);
  • Mund të ndodhe dhe në rrjetet sociale. Një groomer (abuzues) mund të manipuloje të dhënat e tij në rrjetet sociale për të krijuar më lehtë marrdhëniet me fëmijët;
  • Qëllimi i këtyre veprimeve i një groomeri është që të rregullojë një takim me fëmijën ose ta manipuloje atë me qellim përdorimin e tij për pornografi;
  • Grooming shkakton lëndim psikologjik të fëmijës për shkak të psikomanipulimit dhe joshjes që groomeri përdor. Gjithashtu grooming krijon një model të dëmshëm të marrdhënieve të fëmijëve me të rriturit;

Grooming është dicka shumë serioze e cila kërkon vëmëndjen e duhur dhe të menjëhershme. Ndërhyrja në të tilla raste kërkon bashkëpunim të drejpërdrejt me policine dhe duhet motivuar fëmija ta raportojë abuzmin.

Shenjat e grooming mund të jenë:

  • Tregimi i tepruar i interesit apo preferencës për një fëmijë të veçantë duke shprehur interesin për ta takuar personalisht;
  • Dërgimi i imazheve, videove apo linqeve pornografike tek fëmijët;
  • Duke zhvilluar biseda me tema seksuale të papërshtatshme për moshën e fëmijëve;
  • Duke i kërkuar një fëmijë të ndajë imazhe personale dhe intime;

 

Pedofilia dhe pornografia e fëmijëve në internet

Pedofilia i referohet njerëzve që kanë interes seksual ndaj fëmijëve, për t’i abuzuar ata seksualisht në Internet apo në jetën reale. Njerëz të tillë tentojnë të kontaktojnë fëmijët me anë të Internetit siç janë rrjetet sociale, dhomat e bisedës – chatrooms, apo lojërat e ndryshme. Ata pretendojnë se janë dikush tjetër dhe shfaqin interes ndaj fëmijëve. Është shumë e rëndësishme që si prindër të dini se njerëz të tillë ekzistojnë. Fëmijët nuk duhet kurrë të bëjnë gjëra me të cilat nuk ndihen mirë online apo offline.

Pedofilia është proces manipulues për të vënë nën kontroll fëmijën dhe për t’a shfrytëzuar dhe abuzuar atë seksualisht, për qëllime të kënaqësisë seksuale të të rriturit. Sa më të vegjël fëmijët, aq më pak kuptojnë ata se çfarë ndodh në të vërtetë. Prandaj në këtë aspekt, prindi duhet ta informojë fëmijën që në moshë të hershme në lidhje me integritetin trupor, cilat janë pjesët e trupit që nuk duhet t’ia prekë askush, apo pse nuk duhet ekspozuar fëmija në internet, në foto apo video sugjestionuese, tërheqëse apo erotike.

Pedofilia në internet është ngushtësisht e lidhur me pornografinë e fëmijës, e cila është një ndër format më të rrezikshme të dhunës dhe ekspozimit seksual të fëmijës. Ngjarja bëhet më e rëndë, pasi një material që hidhet në internet qëndron aty për të gjithë jetën, ndaj qoftë edhe ekspozimet padashje të fëmijës, mund të shkaktojnë probleme për të në të ardhmen.

Pornografia e fëmijës përfshin mbajtjen, prodhimin, botimin, shpërndarjen e imazheve dhe videove, me çdo mjet apo formë, të fëmijës që është duke u angazhuar në një marrëdhënie seksuale, erotike apo në një moment intim, jo detyrimisht me një të rritur, por që qëllimi final është shfrytëzimi i fëmijëve për kënaqësinë seksuale të të rriturve.

Vitet e fundit pornografia me fëmijët është zgjeruar si term duke përfshirë edhe imazhet e gjeneruara nga komjuteri, pra që nuk janë imazhe të vërteta të fëmijëve, por që tregohen fëmijët në pozicione nudo, apo sugjestionuese erotike apo duke kryer marrëdhënie seksuale. Një aspekt që duhet mbajtur mend është se kur adoleshentët shkëmbejnë foto të fotove të tyre intime, kjo nuk konsiderohet pornografi e fëmijës. Por nëse e njëjtja foto i dërgohet një personi tjetër apo dissave, ajo konsiderohet pornografi, pavarësisht moshës së personit.

Për këtë qëllim, është tepër e rëndësishme që fëmijët të ndihen të afërt me prindërit dhe të mos kenë frikë që të tregojnë nëse janë kanë rënë në kontakt me një pedofil apo mund të jenë bërë viktima të pornografisë në internet apo nëpërmjet celularit. Jeta dhe mirëqenia e fëmijës janë shumë të rëndësishme, ndaj prindi duhet të fokusohet jo tek gabimi që ka bërë fëmija, por tek mbrojtja e fëmijës nga çdo abuzim dhe përdorim i mëtejshëm.

 

Hakimi (marrja në kontroll e pajisjes)

Është një term i përdorur për të përshkruar një përpjekje të dikujt për të hyrë online në kompjuterin tuaj apo të fëmojës suaj, me qëllim aksesin dhe vjedhjen e të dhënave personale, kontrollin e materialeve personale në kompjuter apo manipulimin e sistemit operativ të kompjuterit. Kjo është mjaft shqetësuese sepse dikush nëpërmjet hakimit mund të disponojë dhe përdore për qëllime të caktuara informacion, llogari dhe materiale personale (foto, video);

  • Hakimi është fillim i një sërë çështjesh serioze. Hakuesi mund të përdorë materialet për një sërë qëllimesh përfitimi, mashtrimi dhe shpërndarjen e informacioneve personale të viktimës;
  • Hakeri mund të fshijë informacione dhe dosje të rëndësishme, mund të dëmtojë kompjuterin veprime të cilat mund të krijojnë shumë shqetësime dhe pasoja;
  • Hakeri mund të përdorë kamerën dhe systemin e zërit për ta xhiruar fëmijën kur fle apo vishet e zhvishet, dhe këto imazhe mund t’ua shesë pedofilëve online, apo duke iu krijuar atyre akses në kompjuterin e fëmijës në çdo kohë.

 

Varësia nga interneti dhe qëndrimi për orë të gjata online

Është përdorimi i tepruar i internetit dëri në masën sa ndërhyn në aktivitetet e jetës së përditshme. Edhe pse shpeshherë varësia nga interneti mund të duket e paqartë, ka raste kur fëmijët dhe adoleshenëtët kalojnë orë të tëra në internet duke luajtuar lojëra elektronike, biseduar dhe naviguar duke harruar përgjegjësitë e tyre madje dhe ushqimin.

Nga pikpamja e sjelljes mund të konsiderohet si një sjellje kompulsive dhe përkufizohet klinikisht si një sjellje, e cila bëhet jo sepse është e këndshme dhe e dobishme, por për shkak se individi mendon se duhet ta bëje. 

 

Përmbajtja e paligjshme dhe e papërshtatshme

Është një përkufizim, i cili i referohet cdo lloj përmbajtje në internet, verbale, vizuale, audio dhe video i cila është e rrezikshme dhe e papërshtatshme për moshën e fëmijëve por është në dispozicion të publikut. Për shkak të hapësirës së madhe të shtrirjes së internetit kemi të bëjmë me një larmi të madhe të interesave të subjekteve të ndryshme.

  • Pa udhëzimet e duhura dhe pa filtra fëmijët mund të ndeshen edhe aksidenatlisht online me përmbajtje e cila për ata mund të shkaktojë stres dhe ankth;
  • Një përmbajtje e tillë mund të jetë e dhunshme, pornografike, raciste apo fyese;
  • Shikimi apo kontakti me përmbajtje të tilla mund të trazojë botën e brendshme të fëmijëve. Në rastin e kontaktit të fëmijëve me materiale pornografike mund të shtrembërojë zhvillimin psiko-seksual;

 

Sexting

Është një term i përdorur për të përshkruar dërgimin e mesazheve, fotove me përmbajtje erotike dhe seksuale kryesisht nëpërmjet celularëve. Ndonëse dërgimi i këtyre përmbatjeve mund të jetë e dakordësuar ndërmjet njëri-tjetrit, mund të ndodhë që këto përmbatje të përfundojnë duke qarkulluar në internet, kryesisht kur marrëdheniet marrin fund. Edhe pse në shumicën e rasteve nis si një lojë mes adoleshentëve, shpërndarësi i materialeve e humbet kontrollin mbi imazhet dhe shkakton ndjesi turpi tek viktima, të cilat mund të jenë potencialisht shkatërruese.

 

4. Çfarë thonë fëmijët për përdorimin e internetit?

Rreth 900 fëmijë të moshës 13 – 18 vjeçare, u intervistuan në Shqipëri , në lidhje me pwrdorimmin e internetit. Gjetjet kryesore të këtyre intervistave tregojne se rreziqet më kryesore të perceptuara nga fëmijët ishin ato të lidhura me përmbajtjen, pasuar nga ato të lidhura me sjelljen dhe më pas ato të lidhura me kontaktet:

  • Ngacmimet (bullying), vjedhja e fjalëkalimeve, si dhe shikimi i paqëllimshëm i materialeve pornografike gjatë përdorimit të internetit janë çështje serioze me të cilat përballen fëmijët aktualisht, ku 45% e të pyeturve vunë në dukje se fëmijëve iu duhet të përballen me të tilla çështje çdo ditë;
  • Sipas 44% të të pyeturve, fëmijët shohin materiale pornografike çdo ditë;
  • 47% e fëmijëve të invervistuar pranojnë që, brenda vitit të fundit, ata janë kontaktuar online nga një individ i panjohur;
  • Nga 47% e fëmijëve që janë kontaktuar online nga një individ në vitin e fundit, 40% e tyre ishin kontaktuar nga persona të huaj;
  •  Shumica e qytetarëve të huaj të panjohur që kontaktojnë fëmijët shqiptarë online janë nga Mbretëria e Bashkuar (33%), Italia (14%) dhe nga SHBA (8%);
  • 68% e fëmijëve si nga zonat rurale ashtu edhe nga ato urbane konfirmojnë ekzistencën e vendndodhjeve, kompjuterave, ose ekraneve që shfaqin materiale pornografike në kundërshtim me dëshirën e tyre;
  • Shumica e materialeve pornografike të paqëllimshme që shfaqen ndodh në qendra internet (internet café);
  • 32% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan që nëse do të lëndoheshin online, më pak të mundshmit për t’iu kërkuar ndihmë do të ishin mësuesit. Kjo pasohej nga policia, ku 27% e fëmijëve nuk e konsiderojnë si një institucion për ndihmë;

 

5. Disa këshilla praktike për ta bërë internetin më të sigurt dhe më të respektueshëm për fëmijët

 

Këshilla 1: Njohja me sfidat e prindërimit

Janë disa pjesëza këshillash të rëndësishme për t'iu kujtuar që ashtu siç janë hapat e parë të zhvillimit në jetën e përditshme po aq të rëndësishëm janë dhe hapat e parë në botën online. Si prind ju ndoshta nuk mund të dini gjithcka për jetën online si chat-et, media sociale, postimet, blogjet etj por ju dini mjaftueshëm për prindërimin, rregullat, parimet, kufinjtë në aspektet e tjera të jetës së fëmijës tuaj.

 

Këshilla 2: Lundroni në internet bashkë më fëmijën

Ju si prind duhet të jeni personi kryesor që të udhëzoni fëmijën tuaj për mënyrën se si duhet ta përdrin internetin duke e eksploruar atë bashkë. Kjo do të ndikojë në ndarjen me ju të eksperiencave pozitive dhe negative të fëmijës tuaj online. Duke bërë këtë fëmija juaj do ta ketë më të lehtë që të pranojë rregullat kryesore të përdorimit të kopmjuterit. Ju duhet të inkurajoni fëmijën tuaj që të jenë të kujdesshëm në dhënien e informacionit personal.

 

Këshilla 3: Shikoni çfarë shikon dhe lexon fëmija juaj në internet

Nuk është i mjaftueshëm fakti që ju keni vendosur kompjuterin në një vend qëndror dhe të dukshëm në shtëpinë tuaj nëse ju nuk i kushtoni vëmëndje asaj se çfarë fëmijëa juaj po bën me kompjuterin. Uluni dhe ju afër kompjuterit me fëmijën tuaj dhe bisedoni rreth asaj se çdarë po bën online.

 

Këshilla 4: Lexoni më shumë në lidhje me atë çfarë shikoni në ekranin që po përdor fëmija juaj

Nëse ju pyesni fëmijën tuaj se çfarë ata po bëjnë dhe ju nuk e kuptoni pergjigjen atëherë është koha për të lexuar rreth asaj. Vizitoje më vonë atë faqe interneti dhe kërko për lajme ose artikuj në lidhje me fjalët kyçe që do gjesh tek ajo adresë.

 

Këshilla 5: Përdor mekanizmat e teknologjisë për internet të sigurtë në shtëpi

Ka një sërë programesh (softëare), të cilat instalohen në kompjuter, qëllimi i të cilave është të krijojë mundësi që të mbroni fëmijën tuaj online.

Filtrat e internetit, softëare dhe udhëzuesit, të cilët mund ti kërkoni dhe pranë subjekteve në të cilat ju bleni kompjuterat mund të ua lehtësojnë monitorimin e aktivitetit të fëmijës tuaj online.

 

Këshilla 6: Tregohuni të vëmëndshëm ndaj sinjaleve paralajmëruese

Një fëmijë që heziton të flasë më familjarët në lidhje me aktivitetin e tij online ose që duket i tërhequr nga familja dhe miqtë mund të ketë një problem. Ndryshimi i personalitetit të fëmijës tuaj mund të jetë një shënje se dicka po ndodh me fëmijën tuaj dhe ekspozimi ndaj pornografisë dhe cyberbullying mund të jetë një shkak i këtyrë ndryshimeve.

 

Këshilla 7: Mësoni t'ju thoni fëmijëve Jo!

Nësë fëmija juaj vazhdimisht kalon shumë kohë në internet ose shpërfill rregullat në lidhje me përdorimin e kompjuterit është koha që të merrni masa deri në shkëputjen e lidhjes së internetit.

Kjo mund të jetë një masë paraprake me të cilët fëmijët tuaj mund të mos pajtohen, por ata mund të mbijetojnë pa të. Sigurohuni që të jeni të qartë që të argumentoni këtë vendim si dhe për kohëzgjatjen e vendimit.

 

6. Ku mund të denonconi ngjarje, incidente apo përmbajtje të paligjshme në internet?

 

Prindi gjithmonë duhet t’i bëjë pyetjen vetes: po sikur fëmijës tim t’i ndodhë një ngjarje apo incident në internet, ku duhet të raportoj? A duhet ta mbajë të fshehtë? A duhet ta denoncoj në polici? Po fëmijës çfarë duhet t’i them? Incidentet në internet, jo vetëm për fëmijët, por edhe për ne të rriturit sa po vijnë e po shtohen. Në këtë aspekt, jo vetëm është e rëndësishme që të jemi të informuar, por edhe të dimë si të mbrojmë fëmijët tanë, veten, miqtë e shokët. Po ashtu është e rëndësishme, që mjeti më i mirë për t’u mbrojtur është parandalimi. Në këtë drejtim është e rëndësishme t’i mësosh fëmijës të navigojë me respekt në internet dhe njëkohësisht të mos bisedojë apo ekspozojë veten, sidomos ndaj të panjohurve. Një rekomandim që vlen për prindërit është që të uleni me fëmijën apo fëmijët tuaj dhe së bashku të shkruani një Kod Sjelljeje në Internet, me disa rregulla të shkurtëra, por që mund ta mbrojnë fëmijën, në çdo situatë. Kodi mund të ndahet në dy kolona, ku në njërën mund t’i përgjigjeni së bashku me fëmijën pyetjes: Çfarë më lejohet të bëj kur jam online? Ndërsa, në kolonën tjetër, përgjigjuni pyetjes: Çfarë nuk më lejohet të bëj kur jam online?

Kodi dhe përgjigjet mund të shkruhen apo pikturohen edhe në një flipchart apo letër vizatimi dhe fëmija mund ta vendosë atë në dhomën e tij, në dhomën ku punon me kompjuter, si dhe edhe në klasën e tij. Përtej kësaj, prindi duhet të jetë gati edhe kur ka ndodhur një incident me fëmijën tuaj. Nëse fëmija juaj ka buluar dikë në internet, apo ka sharë e ka fyer një fëmijë tjetër, atëhere jeni ju që duhet ta udhëhiqni fëmijën drejt kërkimit të ndjesës ndaj personit që ai/ajo ka dëmtuar në internet, apo duke hequr komentet që tregojnë apo nxisin urrejtje ndaj një individi apo grupi të caktuar. Mbani mend se nëse jus i prind i lejoni këto sjellje të fëmijës suaj në internet, herën tjetër mund të jetë ai viktima e rradhës! Asgjë e mirë nuk vjen nga bulizmi apo urrejtja!

Nëse fëmija juaj është bërë viktimë e dhunës apo ngacmimeve seksuale në internet, atëhere mbani mend disa porosi shumë të shkurtra dhe praktike:

  • Mos shkatërroni asnjë material (foto, video, mesazhe etj.) që fëmija i ka nisur personit në internet!
  • Mos shkatërroni asnjë bisedë apo foto/video që personi tjetër ka biseduar apo i ka nisur fëmijës suaj;
  • Bejini foto të gjitha këtyre materialeve ku tregohet dita dhe ora, por mos ia nisni ato askujt. Mbajini për çdo rast, mbase personi tjetër ka hakuar kompjuterin, tabletën apo celularin e fëmijës dhe mund tëtentojë t’i shkatërrojë materialet!
  • Uluni dhe bisedoni me fëmijën tuaj me shumë qetësi dhe dashuri. Fëmijët gjithmonë mendojnë se faji për ç’ka ka ndodhur është i tyri dhe kjo mund të nxisë edhe sjellje vetëvrasjeje. Rëndësi ka që fëmija juaj të kuptojë që faji nuk është i tij/saj dhe se çdo gjë do të zgjidhet më së miri. Shpjegojini edhe Hapat që do të ndërmerrni, sepse kjo mund të rrisë sigurinë tek fëmija që asgjë e keqë nuk do të ndodhë;
  • Shpjegojini fëmijës që zgjidhja e një çështje të tillë mund të dojë kohë apo mund ta ketë ekspozuar atë edhe tek persona të tjerë, të njohur e të panjohur, ndaj duhet të bëhet gati të përballet me realitetin e të mos ketë frikë prej tij, sado i pashpresë apo zhgënjyes të duket ai ndonjëherë. Rëndësi ka që fëmija të gjejë tek ju dhe e gjithë familja e afërt dashuri, respekt, kujdes dhe mbrojtje!
  • Nëse incidenti përbën një krim ai duhet denoncuar menjëherë pranë Policisë. Telefononi numrin falas 112 ose shkoni dhe vizitoni vetëm apo me fëmijën, Komisariatin më të afërt të policisë. Kërkoni të takoni një officer policie që merret me krimet kibernetike dhe nëse nuk është e mundur me dike që punon për fëmijët dhe të miturit. Shpjegojani situatën thjesht dhe pa ngarkesë, sidomos nëse jeni në prezencë të fëmijës. Tregojini fotot që keni bërë dhe ndiqni udhëzimet që do t’ju jap oficeri i policisë;
  • Pasi ta keni ndërmarrë këtë hap, RAPORTOJENI incidentin menjëherë tek platforma www.ISIGURT.AL – e cila bashkëpunon me Policinë e Shtetit, por edhe të gjitha platformat globale për të regjistruar dhe ndjekur incidente të tilla dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë ata që dëmtojnë fëmijët në internet.
  • Platformën mund ta download edhe si aplikacion në “Play Store” të telefonave android. Në aplikacion mund të gjesh edhe më tepër informacion në lidhje me sigurinë në internet, udhezime praktike për fëmijët etj.
  • Në çdo rast, për pyetje apo çdo shqetësim, mund të telefonosh falas pranë numrit 116-111, Linja Kombëtare të Telefonit për Fëmijë. Një ekip profesionistësh janë në dispozicionin tuaj për t’ju këshilluar në lidhje me çdo problem apo shqetësim tuajin.

 

 
MEMBER OF


 

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne