LINJA KOMBËTARE PËR INTERNET TË SIGURT NË SHQIPËRI
ALBANIAN NATIONAL HOTLINE FOR INTERNET SAFETY

Udhëzues për Mësuesit

You are here

Udhëzues për mësuesit

 

Nxënësit sot e përdorin teknologjinë më shumë se kurrë më parë falë internetit. Të qenit gjithmonë online është një mundësi e shkëlqyer, pasi mund t'i ndihmojë fëmijët të mësojnë dhe të komunikojnë me të tjerët më lehtë. Megjithatë, si çdo mjet komunikimi, interneti ka anët e veta negative. Të gjithë të rriturit në jetën e një fëmije kanë përgjegjësinë t'i mësojnë ata për sigurinë në internet. Mësuesit janë në një pozicion unik për t'i ndihmuar fëmijët. Interneti sot është më shumë se thjesht një trend. Është diçka që shumica e mësuesve e dinë se duhet të përqendrohen dhe të flasin me nxënësit e tyre. Ne e dimë se sa e rëndësishme është t'i udhëzojmë nxënësit tanë që të jenë të sigurt, të përgjegjshëm dhe produktiv në internet. 

 

Kush i udhezon mësuesit? A ndiheni ndonjëherë të pasigurt për atë që duhet t'ju flisni fëmijëve?

 

Ndoshta ndonjëherë si mësues nuk jeni i sigurt se sa duhet të përfshiheni në dilemat dixhitale të nxënesve ose si duhet të silleni vetë në internet? Ky udhëzues synon t'u japë mësuesve dhe shkollave disa këshilla të shpejta në lidhje me sjelljen personale në internet dhe gjithashtu se si nxënësit të përdorin internetin në mënyrë të sigurte.

 

Rreziqet me të cilat ndeshen fëmijët dhe adoleshentët online

Ditët e sotme përdorimi i internetit është bërë pjesë e pandashme e aktivitetit ditor të fëmijëve. Teknologjite të tilla, pavarësisht se janë shumë të vlefshme dhe të nevojshme. mund t'i ekpozojnë fëmijët ndaj disa rreziqeve dhe abuzimeve. Disa nga rreziqet me të cilat fëmijë mund të ndeshen në internet janë:

 

Privatësia

Që nga krijimi i e internetit, të rriturit kanë qënë të shqetësuar në lidhje me atë se çfarë fëmijët shikojnw dhe ndajnë online.

Frikërat janë të ndryshme dhe ndonjëhere reale. Fëmijët mund ta ekspozojnë veten ndaj vjedhjes së identitetit duke iu ofruar të tjerëve fjalëkalime, datëlindje dhe të dhëna të tjera personale.

Po ashtu i njëjti informacion mund të ndahet padashje nga fëmijët edhe me grabitqarët seksual. Nxënësit duhet të marrin në konsideratë faktin e rëndësisë së ruajtjes së privatësisë online duke mos iu ofruar informacion dhe të dhëna personale ndaj personave të tjerë kushdo qofshin keto.

 

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Nxënësit duhet të angazhohen për të ndjekur rregullat e shkollës. Krijoni një model të shkruar marrëveshje për përdorimin e kompjuterave në shkollë, ku të përfshihet privatësia dhe mosdhënia e të dhënave personale personave të tjëre. Ky veprim i ndërgjegjëson për rëndësinë e privatësisë por në të njëjtën kohë duke qënë e shkruar ua imponon mbrotjen e të dhënave.

Zhvilloni orë bashkëbisedimi më nxënësit në klasa. Informojini ata për mënyrën se si duhet ti përdorin të dhënat e tyre në rrjete sociale por informijini ata edhe për politikat që kanë rrjetet sociale në mbajtjen e të dhënave personale.

Dita e Internetit të Sigurt organizohet çdo vit në muajin shkurt për të nxitur përdorimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të internetit dhe teknologjisë nga fëmijët dhe të rinjtë. Mësuesit dukë qënë kontakti i parë i fëmijëve me qëllim rritjen e kapaciteteve të tyre akademike duhet të përfshijnë në planet e tyre të punës ore ndërgjegjësuese dhe aktivitete me nxënësit në kuadër të kësaj dite. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është informimi, por edhe thirrja për të bashkërenduar përpjekjet e të gjithë aktorëve, sidomos mësuesve dhe fëmijëve, që përvojat “online” të fëmijëve të jenë vetëm pozitive.

 

Cyber-bulling

Ky është një term i përdorur për të përcaktuar format e ndryshme të abuzimit psikologjik gjatë aktivitetit online të fëmijëve. Cyber bullying është terminologji që përdoret kur njerëzit përdorin internetin për të kërcënuar, ngacmuar, apo poshtëruar dikë duke dërguar mesazhe,fotografi dhe video. Disa shembuj të cyberbulling janë:

  • tallje e përsëritur ndaj një personi duke përdorur nofka dhe epitete;
  • dërgimi i mesazheve turpëruese nëpërmjet internetit;
  • Dërgimi i përmbajtjeve të turpshme, fyese dhe kërcënuese nëprmjet aplikacioneve online të ndryshme;
  • Dërgimi I mesazheve elektronike me gjuhë vulgare;
  • Dërgimi ose postimi i thashethemeve në lidhje me një person për të dëmtuar reputacionin e tij/saj;
  • Hapja e llogarive në rrjete të ndryshme në emër të dikujt tjetër dhe postimi i përmbajtjeve dhe materialeve me qëllim dëmtimin e reputacionit të tij/saj;
  • Postimi dhe ndarja e sekreteve, informacioneve të turpshme apo imazheve online; 
  • Postimi I fotove dhe videove të dikujt pa pëlqimin e tij/saj;

Forma të tilla të cyber-bulling pothuajse ndeshen në të gjitha rrjetet sociale por edhe në të gjitha platformat e tjera të komunikimit dhe ndërveprimit online.

 

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Krijoni në një kënd të dukshëm në shkollën apo klasën tuaj një mision të shkruar për të drejtat dhe përgjegjësite online të nxënësve ku një ndër pikat kryesore të jetë komunikimi me respekt ndaj njëri-tjetrit.

Sigurohuni që shkolla juaj ka një sistem raportimi të rasteve të cyberbulling që i mbron dhe trajton viktimat e këtij fenomeni. Gjithashtu shkolla duhet të sigurojë një mënyrë të thjeshtë raportimi për prindërit dhe nxënësit të rasteve të cyberbulling dhe problemeve të tjera pa frikën e hakmarrjes si psh:

  • Inkurajoni fëmijët të flasin me mësuesit dhe psikologët në shkollë kur ata ekspozohen ndaj cyberbullying duke ju garantuar atyre ruajtjen e konfidencialitetit;
  • Inkurajoni fëmijët të telefonojnë ALO 116 për të raportuar dhe për të marrë shërbime të specializuara kur ata bien viktime e cyberbulling;

Inkurajoni fëmijët të vizitojne faqen www.isigurt.al për të raportuar rastet e cyberbulling dhe për t’u informuar për mënyrat se si mund ta mbrojnë veten gjatë aktivitetit online;

 

Shtytja e fëmijëve për të kryer marrëdhënie seksuale (Grooming)

Është përgatitja dhe manipulimi psikologjik i një fëmijë me qëllim shfrytëzimin seksual.

  • Hapi i parë që bën një groomer (abuzuesi) është fitimi i besimit të fëmijës me qëllim paraqitjen veprimeve të tij si të dobishme për vetë fëmijën;
  • Kjo mund të ndodhë në kontekstin e komunikimit privat nëpërmjet programeve të komunikimit (messenger, dhoma chati etj);
  • Mund të ndodhe dhe në rrjetet sociale. Një groomer (abuzues) mund të manipuloje të dhënat e tij në rrjetet sociale për të krijuar më lehtë marrdhëniet me fëmijët;
  • Qëllimi i këtyre veprimeve i një groomeri është që të rregullojë një takim me fëmijën ose ta manipuloje atë me qellim përdorimin e tij për pornografi;
  • Grooming shkakton lëndim psikologjik të fëmijës për shkak të psikomanipulimit dhe joshjes që groomeri përdor. Gjithashtu grooming krijon një model të dëmshëm të marrdhënieve të fëmijëve me të rriturit;

Grooming është dicka shumë serioze e cila kërkon vëmëndjen e duhur dhe të menjëhershme. Ndërhyrja në të tilla raste kërkon bashkëpunim të drejpërdrejt me policine dhe duhet motivuar fëmija ta raportojë abuzmin.

 

Shenjat e grooming mund të jenë:

  • Tregimi i tepruar i interesit apo preferencës për një fëmijë të veçantë duke shprehur interesin për ta takuar personalisht;
  • Dërgimi i imazheve, videove apo linqeve pornografike tek fëmijët;
  • Duke zhvilluar biseda me tema seksuale të papërshtatshme për moshën e fëmijëve;
  • Duke i kërkuar një fëmijë të ndajë imazhe personale dhe intime;

Në rastet e grooming është shumë e rëndësishme që edhe stafet akademike të jenë të përgatitura për të adresuar rastet kur vetë stafi akademik ngacmon seksualisht nëpërmjet platformave të komunikimit online apo kur janë në dijeni që nxënësi është viktime.

 

Rast 1: Drejtori i shkollës X ngacmon me mesazhe dy nxënëse në shkollën 9 vjeçare. Ai ju shkruan se notat e tyre mund të përmirësohen shumë nëse ato tregohen të mira me të. Ato duhet ta kuptojonë vetë se për çfarë bëhet fjalë... Të dyja vajzat kanë dëgjuar fjalë nga vajzat e tjera më të rritura që drejtorit të shkollës i pëlqen të ketë marrëdhënie seksuale me vajza adoleshente. Vajzat nuk janë të sigurta nëse duhet të tregojnë në familje apo të flasin me mësxuesen kujdestare. --- Shkolla ka për detyrë që të infromojë të gjithë nxënësit për mekanizmat e raportimit të rasteve grooming apo ngacmimit seksual në internet apo me mesazhe, si në shkollë ashtu edhe në platformën www.isigurt.al - Njesinë për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Policinë.

 

Rasti 2: Një nxënëse e shkollës Y abuzohet seksualisht për 5 muaj nga disa nxënës-djem më të rritur në Shkollë. Abuzimi ndodhi për shkak të shantazhit që i bëhëj vajzës me një video intime ku ajo shihej që ishte duke kryer marradhënie seksuale me të dashurin e saj. Video është shpërndarë me mesazhe. Stafi akademik i shkollës pavarësisht se ishte në dijeni nuk e raporton rastin, deri sa familja e merr vesh, pasi video i ka vajtur edhe vëllait të vajzës....

 

Ligji detyron stafet akademike që të raportojnë çdo rast të dhunës ndaj fëmijëve në strukturat për mbrojtjen e fëmijës pavarësisht nëse ajo ndodh online apo offline. Ligj Nr. 18/2017 Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës

Neni 67 Detyrimi për raportim

3. Mësuesit dhe ofruesit e shërbimit psiko-social shkollor kanë për detyrë të raportojnë çdo rast të dyshuar apo të ndodhur, abuzimi, neglizhimi apo shfrytëzimi të fëmijës në njësitë arsimore vendore ose strukturat për mbrojtjen e fëmijës. Njësia arsimore vendore, në çdo rast, kur merr dijeni për fëmijë në nevojë për mbrojtje, bën raportimin te strukturat për mbrojtjen e fëmijës.

 

Imazhe me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve në internet (pornografia e fëmijëve)

Ajo që në gjuhën e përditshme apo edhe në ligj konsiderohet si "pornografia me fëmijë" - në të vërtetë është dhunë seksuale ndaj fëmijëve - pasi asnjë fëmijë nuk mund të jap OK apo edhe të kuptojë se cfarë është një marrëdhënie seksuale e jo më të angazhohet në një marrëdhënie seksuale, pa mbushur moshën e duhur apo atë që ka caktuar ligji. Fëmijët pa diskutim kanë të drejtë të eksplorojnë dhe kuptojnë seksualitetin e tyre, të njohin veten dhe trupin e tyre, por në intimitetin e tyre dhe asnjëherë me të rritur. 

Pedofilia i referohet njerëzve që kanë interes seksual ndaj fëmijëve, për t’i abuzuar ata seksualisht në Internet apo në jetën reale. Pedofilët tentojnë të kontaktojnë fëmijët me anë të Internetit siç janë rrjetet sociale, dhomat e bisedës – chatrooms, apo lojërat e ndryshme. Ata pretendojnë se janë dikush tjetër dhe shfaqin interes ndaj fëmijëve. Është shumë e rëndësishme që si mësues të dini se njerëz të till fë ekzistojnë dhe se veprimet e tyre dëmtojnë fëmijët. Pedofilia është proces manipulues për të vënë nën kontroll fëmijën dhe për t’a shfrytëzuar dhe abuzuar atë seksualisht, për qëllime të kënaqësisë seksuale të të rriturit. Sa më të vegjël fëmijët, aq më pak kuptojnë ata se çfarë ndodh në të vërtetë. Prandaj në këtë aspekt, prindi duhet ta informojë fëmijën që në moshë të hershme në lidhje me integritetin trupor, cilat janë pjesët e trupit që nuk duhet t’ia prekë askush, apo pse nuk duhet ekspozuar fëmija në internet, në foto apo video sugjestionuese, tërheqëse apo erotike.

Pedofilia në internet është ngushtësisht e lidhur me imazhet me përmbajtje të dhunës seksuale të fëmijës, e cila është një ndër format më të rrezikshme të dhunës dhe ekspozimit seksual të fëmijës. Ngjarja bëhet më e rëndë, pasi një material që hidhet në internet qëndron aty për të gjithë jetën, ndaj qoftë edhe ekspozimet padashje të fëmijës, mund të shkaktojnë probleme për të në të ardhmen.

Pornografia e fëmijës përfshin mbajtjen, prodhimin, botimin, shpërndarjen e imazheve dhe videove, me çdo mjet apo formë, të fëmijës që është duke u angazhuar në një marrëdhënie seksuale, erotike apo në një moment intim, jo detyrimisht me një të rritur, por që qëllimi final është shfrytëzimi i fëmijëve për kënaqësinë seksuale të të rriturve.

Vitet e fundit pornografia me fëmijët është zgjeruar si term duke përfshirë edhe imazhet e gjeneruara nga komjuteri, pra që nuk janë imazhe të vërteta të fëmijëve, por që tregohen fëmijët në pozicione nudo, apo sugjestionuese erotike apo duke kryer marrëdhënie seksuale. Një aspekt që duhet mbajtur mend është se kur adoleshentët shkëmbejnë foto të fotove të tyre intime, kjo nuk konsiderohet pornografi e fëmijës. Por nëse e njëjtja foto i dërgohet një personi tjetër apo dissave, ajo konsiderohet pornografi, pavarësisht moshës së personit.

Për këtë qëllim, është tepër e rëndësishme që fëmijët të ndihen të afërt me prindërit dhe të mos kenë frikë që të tregojnë nëse janë kanë rënë në kontakt me një pedofil apo mund të jenë bërë viktima të pornografisë në internet apo nëpërmjet celularit. Jeta dhe mirëqenia e fëmijës janë shumë të rëndësishme, ndaj prindi duhet të fokusohet jo tek gabimi që ka bërë fëmija, por tek mbrojtja e fëmijës nga çdo abuzim dhe përdorim i mëtejshëm.

 

Përmbajtja e paligjshme dhe e papërshtatshme

Është një përkufizim, i cili i referohet cdo lloj përmbajtje në internet, verbale, vizuale, audio dhe video i cila është e rrezikshme dhe e papërshtatshme për moshën e fëmijëve por është në dispozicion të publikut. Për shkak të hapësirës së madhe të shtrirjes së internetit kemi të bëjmë me një larmi të madhe të interesave të subjekteve të ndryshme.

  • Pa udhëzimet e duhura dhe pa filtra fëmijët mund të ndeshen edhe aksidenatlisht online me përmbajtje e cila për ata mund të shkaktojë stres dhe ankth;
  • Një përmbajtje e tillë mund të jetë e dhunshme, pornografike, raciste apo fyese;
  • Shikimi apo kontakti me përmbajtje të tilla mund të trazojë botën e brendshme të fëmijëve. Në rastin e kontaktit të fëmijëve me materiale pornografike mund të shtrembërojë zhvillimin psiko-seksual;

 

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

  • Informojini dhe mesojuni nxënësve rregullat e përdorimit të kompjuterit në shkollë. Në shkollë ju duhet të flisni dhe për përmbajtjet e papërshtatshme, sigurinë e fjalëkalimeve dhe viruset e mundshme në internet. Zbatimi i rregullave bëhet më i lehtë ku ju e dini se nxënësit janë në dijeni të rregullave.
  • Qëndroni të qëtë. Ndonjëherë nxënësit tuaj mund të ndeshen aksidentalisht me përmbajtje të papërshtatshme në internet edhe në shkollë. Nëse ju e vini re ketë udhezojini nxënësit që mënjëhere të mbyllin faqet, të fikin kompjuterin apo laptopin dhe diskutoni qëtësisht më nxënësin për problemin.

Sexting

Është një term i përdorur për të përshkruar dërgimin e mesazheve, fotove me përmbajtje erotike dhe seksuale kryesisht nëpërmjet celularëve. Ndonëse dërgimi i këtyre përmbatjeve mund të jetë e dakordësuar ndërmjet njëri-tjetrit, mund të ndodhë që këto përmbatje të përfundojnë duke qarkulluar në internet, kryesisht kur marrëdheniet marrin fund. Edhe pse në shumicën e rasteve nis si një lojë mes adoleshentëve, shpërndarësi i materialeve e humbet kontrollin mbi imazhet dhe shkakton ndjesi turpi tek viktima, të cilat mund të jenë potencialisht shkatërruese.

 

Çfarë mund të bëni ju si mësues?

Përfshini gjithë komunitetin e shkollës duke ndërtuar komunikim intensiv me stafin pedagogjik dhe prindërit e nxënësve. Përdorni një email ose buletin për të informuar prindërit për politikat e shkollës për të mbrojtur fëmijët nga sexting. Ftojini prindërit të flasin më fëmijët e tyre për pasojat e kësaj sjellje. Një gjë është e sigurt që kur prindërit angazhohen në dialog me adoleshëntët ka më pak të ngjarë që ata të përfshihen në sjellje të rrëzikshme.

 

Disa këshilla praktike për t’a bërë internetin më të sigurt dhe më të respektueshëm për fëmijët

 

Gjenerimi i imazheve dhe identitetit

Qoftë kur krijojnë avatarë për botën virtuale, zgjedhin fotot e profilit, apo shkruajnë mesazhe për shokët, të rinjtë kanë mundësi të panumërta për t'u shprehur përmes mediave dixhitale. Nga njëra anë, të luash me identitetet kreative mund të jetë një mënyrë e sigurt dhe me imagjinatë për fëmijët që të eksplorojnë se kush janë. Të kesh një “person” ndryshe në internet mund të jetë gjithashtu një lehtësi për një fëmijë që është veçanërisht i turpshëm. Nga ana tjetër, një identitet dixhital mund të jetë një mënyrë që fëmijët të shmangin pasojat personale. Kur fëmijët maskohen si anonimë, ata mund të thyejnë kufijtë dhe të veprojnë në mënyra që nuk do ta bënin në botën reale. Disa mund të zhvillojnë identitete antisociale ose të dëmshme. Të tjerët thjesht shpërndajnë dhe krijojnë reputacion që mund t'i ndjekë përsëri. Sido që të jetë, nëse ka një hendek të madh midis një identiteti në internet dhe atij në jetën offline, ai mund të fragmentojë ndjenjën e vetes së një fëmije (veçanërisht kur identiteti në internet merr shumë reagime dhe fëmija bëhet i varur prej tij).

Ndihmoni nxënësit tuaj

  • Që të kuptojnë ngjashmëritë dhe ndryshimet në mënyrën se si ata e prezantojnë veten online dhe offline.
  • Mësojini nxënësit të reflektojnë se si interneti lejon anonimitetin dhe mashtrimin dhe eksploroni se si kjo mund të ndikojë në sjelljen e tyre në internet.
  • Mësojini nxënësit që ta marrin parasysh motivimet, përfitimet ose dëmin e mundshëm për veten dhe të tjerët kur supozoni një identitet në internet që është i ndryshëm nga vetvetja reale.

 

Marrëdhëniet & Komunikimi

Kur jemi duke lexuar një opinion në internet, duke postuar diçka në një faqe në rrjetet sociale, duke i dërguar mesazhe një miku ose duke ndarë një foto përmes një aplikacioni, ne po marrim pjesë në një botë ku mund të lidhemi menjëherë me mijëra njerëz. Kur fëmijët lidhen me njëri-tjetrin nga një distancë ose përmes një ekrani, kjo mund të ndikojë në mënyrën se si ata sillen. Për shembull, ata mund të mendojnë se veprimet e tyre nuk do kenë pasoja apo nuk do zbulohen nga të tjerët. Kur diçka ndodh në mënyrë anonime, është më e lehtë për njerëzit që të sillen në mënyrë të papërgjegjshme, mizore ose joetike. Të tjerët gjithashtu mund të keqinterpretojnë tonin dhe kontekstin e mesazheve ose postimeve. Fëmijët përfitojnë nga një kod sjelljeje kur përdorin internetin dhe mediat celulare, ashtu siç kanë nevojë për një kod sjelljeje në botën reale. Ata duhet të fuqizohen për të qenë qytetarë të mirë dixhitalë, përveç të qenit qytetarë të mirë në përgjithësi.

Ndihmoni nxënësit tuaj

  • Të kuptojnë se audienca të ndryshme kërkojnë lloje të ndryshme komunikimi dhe rregulla të mirësjelljes në internet.
  • Të zhvillojnë zgjidhje konstruktive për dilemat ndërpersonale në internet që të përmbajnë sjellje etike.
  • Të “imagjinojnë” motivimet, ndjenjat dhe synimet e të tjerëve teksa lidhen me një shumëllojshmëri personash në internet.

 

Strategjitë e mësimdhënies për tema sensitive

Vendosja e rregullave bazë

Mund të jetë shumë e vështirë të flasësh me adoleshentët për marrëdhëniet e rrezikshme në internet. Krijimi i një hapësire të sigurt për diskutim të hapur është veçanërisht e rëndësishme për mësimet që trajtojnë tema të ndjeshme. Merrni parasysh të bëni një aktivitet me klasën tuaj që ndërton besimin mes tyre dhe më pas kaloni pesë deri në dhjetë minuta me ta duke zhvilluar disa rregulla bazë përpara se të jepni mësimin e “Marrëdhënieve të rrezikshme në internet”. Ftojini nxënësit të sugjerojnë disa tema diskutimi për veten e tyre. Nxitini ata të marrin parasysh:

  • Të dëgjuarit aktiv. Tregojuni shokëve tuaj të klasës se ju, jo vetëm që dëgjoni atë që kanë për të thënë, por edhe se ju intereson.
  • Konfidencialiteti. Pranoni që të mos ndani informacion personal identifikues nga diskutimi në grup me njerëzit jashtë klasës.
  • Hap lart, hap prapa. Jini të vetëdijshëm për pjesëmarrjen tuaj në klasë dhe sigurohuni që secili të ketë një mundësi për të ndarë mendimet e tij ose të saj.
  • Respekt. Përpiquni të jeni jogjykues dhe mendjehapur në lidhje me këndvështrime të ndryshme.
  • Përdorni deklaratat "Unë". Zotëroni deklaratat tuaja dhe shmangni përdorimin e komenteve përgjithësuese si "ne”, "ata" ose "ju", të cilat mund të transmetojnë faj.

 

Ku mund të denonconi ngjarje, incidente apo përmbajtje të paligjshme në internet?

 

Mësusesit dhe stafi pedagogjik i shkollës duhet të kenë parasysh se eksiztojnë një sërë institucionesh dhe mekanizmash, ku mund të raportojnë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë në internet të fëmijëve.

 

Linja Kombëtare për Internet të SIGURT www.ISIGURT.al

Ka si qëllim të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të paligjshme dhe papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Nëpërmjet direktorise RAPORTO në këtë platforme dhe aplikacionit për smartphone iSigurt raportohen në kohën më të shpjetë raste të abuzimit online.

 

ALO 116-Linja e Telefonit të Ndihmës për Fëmijë

mbron fëmijët nga abuzimi online duke:

  • Duke marrë dhe analizuar ankesa nga fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët apo çdo person tjetër i interesuar për të raportuar abuzimet online nëpërmjet telefonatave pa pagesë në numrin 116 111 çdo ditë;
  • Duke ofruar informacion dhe mbështetje për fëmijët, prindërit, mësuesit dhë të gjithë profesionistët që punojne me/për fëmijët që të përdorin internetin në mënyrë të sigurtë
  • Duke referuar të gjitha ankesat dhe raportimet në shërbimet dhe institucionet ligjzbatuese që punojnë për sigurinë online të fëmijëve;

 

Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës

në bashki/komunë funksionon brenda strukturës administrative të bashkisë/komunës, është kontakti i parë me fëmijën në rrezik dhe ka përgjegjësinë për identifikimin e rastit, menaxhimin dhe ndjekjen e tij derisa fëmija të konsiderohet “jo në rrezik” .

 

Policia e Shtetit 

është organi përgjegjës për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave penale, ndër të cilat përfshihen dhe veprat penale në fushën e TIK, që ndiqen nga Sektori i Kundër Krimit Kompjuterik. Prokuroria e përgjithshme përmes sektorit të krimeve kibernetike ushtron ndjekjen penale për vepra penale në fushën e kibernetikës. Kjo strukturë kontrollon aktivitetin e njësive të posaçme për ndjekjen e krimeve kibernetike, që janë ngritur në prokuroritë e rretheve gjyqësore.

 

 
MEMBER OF


 

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne