LINJA KOMBËTARE PËR INTERNET TË SIGURT NË SHQIPËRI
ALBANIAN NATIONAL HOTLINE FOR INTERNET SAFETY

Historiku

You are here

Shqipëria është një vend që ka përqafuar teknologjinë prej vitesh. Ndërsa fëmijët dhe të rinjtë në vend duket se janë ndër përdoruesit kryesorë të internetit, duke përfshirë këtu të gjitha platformat e tij. Por vendi ynë është shumë i ri përsa i përket eksperiencës së mënyrave që duhet të krijohen në mbrojtje të fëmijëve dhe të rinjve si përdorues të internetit.

Viti 2020, i cili u shoqërua edhe me një prej ngjarjeve më të papritura për të gjithë botën, pandeminë Covid-19, solli një tablo të ndryshme nga vitet e tjerë, përsa i përket përdorimit të internetit në Shqipëri. Fillimviti detyroi të gjithë vendin t’i ushtrohet një karantine të detyruar, e cila solli fokusin kryesor të të gjithë fëmijëve, të rinjve por edhe të gjithë të tjerëve drejt të vetmes rrugë të lidhjes asaj të përdorimit të internetit. Teknologjia dixhitale nisi të jetë kryefjala e të gjitha brezave, si edhe të gjitha shtresave shoqërore në vend.

Data 9 Mars 2020, shënoi hyrjen e të gjithë vendit në një karantinë të detyruar, ndërsa Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë udhëzoi rreth 571.616 fëmijë të ndjekin në mënyrë të detyruar arsimin e tyre nëpëmjet mësimit në distancë.

Përveç fëmijëve dhe të rinjve, nisën punën e tyre në distancë edhe e gjithë administrata publike shqiptare dhe pothuaj një numër shumë i madh i bizneseve e organizatave private në vend.

Bazuar në të dhënat e INSTAT, në Shqipëri kanë akses të plotë në internet rreth 82.2 % e popullsisë sonë, gjë kjo që e kthen përdorimin e internetit dhe mbrojtjen prej tij në një prej situatave më të pakontrolluara dhe më të rrezikshme në vend.

Mbyllja e detyruar e fëmijëve dhe të rinjve dhe vendosja e tyre përballë një interneti ende të pasigurt, krijoi përgjatë vitit 2020 edhe një risi për të gjithë ekspertët e sistemit të mbrojtjes së tyre nga grabitqarët seksualë online, atë të rritjes galopante të faqeve pornografike dhe përdorimit pa kriter të platformave gjigande të internetit.

Vetëm gjatë muajit Maj 2020, numri i faqeve pornografike me përmbajtje pornografi të fëmijëve, të cilat ishin të aksesueshme nga çdo fëmijë në Shqipëri, u 100 fishuan. Kjo situatë vijoi për një periudhë të gjatë kohore, duke e kthyer në një sfidë për të gjithë sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve nga interneti i pasigurt.

Rritja e numrit të përdoruesve të internetit në Shqipëri dhe pasiguria e përdorimit të tij e ktheu kërkimin on-line dhe mënyrat e strategjitë që duhen përdorur për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë, në debatin kryesor në të gjitha organizatat e mbrojtjes së fëmijëve, institucionet që duhet të bashkëveprojnë në këtë fushë, mediat, komuniteti, etj. 

Interneti i pasigurt nga ana tjetër krijoi përveç shumëfishimit të faqeve pornografike apo me përmbajtje ku abuzohen fëmijët, edhe problematika të tjera të rënda për fëmijët, si rritje të bullizmit online, kërcënimeve, përndjekjeve, shantazhimit, shfrytëzimin seksual të fëmijëve në distancë, si dhe vjedhjen e profileve, fotove të fëmijëve dhe keqpërdorimi i tyre.

Në të shumtën e këtyre problematikave, vendet e tjera europiane, duket se e kanë krijuar eksperiencën dhe strategjitë e tyre tashmë të konsoliduara për të mbrojtur sa më shumë fëmijët dhe të rinjtë nga interneti i pasigurtë. Ndërsa Shqipëria është ende në hapat e para të saj për të krijuar një sistem mirëfilli të fortë dhe për të reaguar në mënyrë bashkërenduese midis të gjitha sistemeve vetëm me një synim atë të mbrojtjes së interesit të fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

Shqipëria ka ende mangësi në drejtim të mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve gjatë navigimit të tyre online, trajnimit të ligj-zbatuesve për metodat më të fundit të denocimit dhe sigurisë online të fëmijëve dhe informimit të vazhdueshëm të shoqërisë për ta bërë internetin sa më të sigurt për fëmijët.

Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt u hap zyrtarisht në Tetor 2015, nga CRCA Shqipëri, në faqen e internetit www.ISGURT.al dhe si aplikacionin për telefonat celularë me të njëjtin emër. Platforma që klasifikohet si një hotline (linjë për raportuar dhe kërkuar ndihme) është një hapësirë e dedikuar, e cila shërben si një burim unik informacioni, manualesh, udhëzuesish në lidhje me internetin e sigurt për fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi dhe shfrytëzimi online.  

Qëllimi i Platformës është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Misioni kryesor i platformës është raportimi i faqeve me përbajtje të paligjshme dhe të dëmshme për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.

Rubrika RAPORTO mbron fëmijët nga abuzimi online, duke marrë, analizuar dhe referuar ankesa nga fëmijët, prindërit, mësuesit, profesionistët që punojnë me/për fëmijët apo çdo person tjetër i interesuar për të raportuar abuzimet online dhe duke i referuar të gjitha ankesat pranë agjensive përkatëse të zbatimit të ligjit dhe institucionet e tjera që ofrojnë shërbime për çështjet e abuzimit online.

 
MEMBER OF


 

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne