LINJA KOMBËTARE PËR INTERNET TË SIGURT NË SHQIPËRI
ALBANIAN NATIONAL HOTLINE FOR INTERNET SAFETY

Krimet dhe Gjuha e Urrejtjes

You are here

SHQIPËRIA: MBROJTJA NGA KRIMET DHE GJUHA E URREJTJES 

Gjuha dhe krimet e urrejtjes janë një krim! Dëmi që vjen nga gjuha apo krimet e urrejtjes shpesh është i paparashikueshëm në pasojat e tij, të cilat mund të jenë sa individuale aq edhe kombëtare. Gjuha dhe krimet e urrejtjes kanë tendencën që t’i ndajnë e veçojnë njerëzit, shpesh duke I konsideruar ata të padenjë për t’u respektuar apo për të gëzuar të drejtat po njësoj si gjithë të tjerët. Ndaj edhe eleminimi i krimeve të tilla është esencial për shoqërinë, por edhe qytetërimin tonë.  

Legjislacioni shqiptar ndër vite ka ardhur duke u përmirësuar dhe përafruar gjithnjë e më shumë me standardet ndërkombëtare të OKB-së dhe të Këshillit të Europës. Një sërë ligjesh të reja, ndër të tjera, po i garantojnë të drejtat e qytetarëve, përfshi edhe mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara nga gjuha dhe krimet e urrejtjes, si gratë, minoritetet apo personat LGBTI.  

Gratë dhe vajzat, personat që i përkasin minoriteteve etnike apo gjuhësore, personat me aftësi të kufizuara apo personat LGBTI jetojnë në një realitet shpesh të vështirë për ta. Ata përballen me dhunë në familje, paragjykime në rrethin e ngushtë shoqëror, paragjykime në lidhje me rolet gjinore, me nofka, sharje apo edhe diskriminim të hapur apo të tërthortë në jetën e përditshme. Ka raste ky diskriminim kthehet në thirrje apo shkrime me përmbajtje urrejtjen, apo kërcënime në internet e ndonjëherë edhe në dhunë verbale, fizike apo krime, të cilat kanë për bazë motivin e urrejtjes.  

Është përgjegjësi e organeve të ligjit në Shqipëri që të trajtojnë çdo ankesë apo denoncim të bërë nga një person që mund të jetë bërë viktimë e gjuhës apo krimeve të urrejtjes. Në këtë kuadër, Policia është ajo që përballet me këto ankesa po denoncime. Momenti i parë është kur viktima vjen të ankohet pranë një komisariati apo punonjësi policie për një vepër penale të ndodhur ndaj tij/saj – dhe ku kërkohet që policia të ndërmarrë një sërë hapash specifike për të hetuar krimin e ndodhur. Kjo pjesë e punës së policisë është e lidhur me zbatimin e Kodit Penal dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.  

Kodi Penal

Kodi Penal i vitit 1995 solli një ndryshim pozitiv në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve nga krimi. Megjithatë duhet thënë se deri në vitin 2013 mbrojtja nga krimet e urrejtjes nuk u shtri në drejtim të mbrojtjes të disa prej komuniteteve më të ekspozuara ndaj tyre. Mungesa e informacionit, paragjykimet dhe perceptimet e gabuara shoqërore, i bënte veprat penale ndaj këtyre personave që i përkasin komuniteteve të trrezikuara shpesh të padukshme apo të pakapshme nga sistemi i drejtësisë, për shkak të mos-raportimit të tyre si të të tilla.  

Falë mbështetjes së Avokatit të Popullit dhe organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, ndryshimet që iu bënë Kodit Penal nga Kuvendi i Shqipërisë, e shtrinë mbrojtjen e tyre, ndër të tjera, tek krimet e urrejtjes (në dy nene), duke i përfshirë ato edhe tek rrethanat rënduese të veprës penale.  

Neni 50 i Kodit Penal: Rrethanat rënduese 

Rëndojnë dënimin rrethanat që vijojnë (gërma J e ndryshuar vijon si më poshtë): 

j) kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike ose aftësinë e kufizuar. 

Neni 253, Shkelja e barazisë së shtetasve 

Kryerja  për  shkak  të  detyrës  e  në  ushtrim  të  saj,  nga  ana  e punonjësit me funksion shtetëror apo në shërbim publik, të dallimeve mbi bazë origjine, seksi, orientimi seksual ose identiteti gjinor, gjendjes shëndetësore, bindjeve fetare, politike, të veprimtarisë sindikale ose për shkak të përkatësisë në një etni, komb, racë apo fe të caktuar, që konsiston në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi   që buron nga ligji, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. 

Neni 265 - Nxitja e urrejtjes ose grindjeve  

Nxitja e urrejtjes dhe e grindjeve, për shkak të racës, etnisë, fesë ose orientimit seksual, si dhe përgatitja, përhapja ose ruajtja, me qëllim përhapjen e shkrimeve me përmbajtje të tilla, e kryer me çdo mjet ose formë, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. 

Ligjvënësi shqiptar i ka kushtuar një rëndësi të posaçme mbrojtjes së individëve nga krimet e urrejtjes, të cilat nuk përfshijnë vetëm aktin e të folurit i cili nxit urrejtjen apo shkakton grindje ndërmjet grupeve shoqërore, por njëkohësisht edhe përgatitjen, përhapjen apo ruajtjen e informacionit të shkruar. Neni 265 merr në konsideratë se format e përhapjes së informacionit (në formën e shkrimeve) janë nga më të ndryshmet, si nëpërmjet medias së shkruar apo edhe në rrjete sociale në internet (online) dhe në këtë aspekt fjalët “me çdo mjet ose formë” nënkuptojnë të gjitha mjetet që një individ mund të përdorë për të nxitur urrejtje dhe grindje. 

Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimin

Ligji “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi” përbën një moment të rëndësishëm në zhvillimin e legjislacionit të ri në Shqipëri. Ai përfaqëson një arritje të përbashkët ndërmjet institucioneve publike dhe shoqërisë civile, për të bërë të mundur mbrojtjen e të drejtave të çdo personi pa diskriminim. Ligji është një iniciativë e shoqërisë civile në Shqipëri gjatë vitit 2006 dhe vetëm në vitin 2010, Kuvendi i Shqipërisë ra dakord që të punonte me OJF-të për të bërë të mundur diskutimin dhe miratimin e Ligjit. Në Shkurt të vitit 2010, Kuvendi votoi unanimisht miratimin e ligjit, i cili është një ndër normat më moderne në legjislacionin shqiptar, por dhe atë Europian.  

Gjatë vitit 2020, për shkak edhe të disa problemeve të vërejtura në zbatim të ligjit, si dhe mangësive në drejtim të mbrojtjes që duhet t’i garantojë individëve një ligj i tillë, u pa e nevojshme që ligjit t’i bëheshin disa shtesa e ndryshime, të cilat u miratuan më pas nga Kuvendi. Propozimet erdhën si nga ana e ekspertëve të zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile. Disa ndër shtesat kryesore që pësoi ligji, ishin ato të lidhura ngushtësisht me gjuhën e urrejtjes dhe mbrojtjen e individëve apo grupeve që mund të bëhen pre e gjuhës diskriminuese, fyese apo denigruese. 

Më poshtë po japim një paraqitje të disa prej neneve kryesore të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi dhe disa prej koncepteve të reja që u bënë pjesë e legjislacionit shqiptar, nëpërmjet këtij ligji. 

Neni 3, paragrafi 8 

“Gjuha e urrejtjes” është çdo formë e shprehjes në publik, me çdo mjet, e promovimit, nxitjes së denigrimit, urrejtjes ose shpifjes, çdo shqetësim, fyerje, stereotip negativ, stigmatizim ose kërcënim ndaj një personi ose grupi personash, si dhe çdo justifikim i të gjitha formave të shprehjes e bazuar në një listë joshteruese të shkaqeve, sipas nenit 1 të këtij ligji. 

Ndërkohë që neni 33 i ligjit përcakton procedurat kryesore për paraqitjen dhe regjistrimin e një ankese pranë Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Është e rëndësishme që të kuptohet që kushdo kërkon të ankohet tek Komisioneri, duhet që ankesa, ndër të tjera, të këtë këto informacione: 

Neni 33, paragrafi 3 

Ankesa përmban, të paktën:  

a) emrin e ankuesit;  

b) shpjegimin se si mund të kontaktohet ankuesi;  

c)subjektin që pretendohet të ketë kryer diskriminimin, ose shpjegim për pamundësinë e identifikimit të tij;  

ç) shpjegimin e diskriminimit të pretenduar;  

d) masat që kërkohen nga komisioneri;  

dh) datën dhe firmën e ankuesit ose të përfaqësuesit të tij. 

 
MEMBER OF


 

Rreth Nesh

Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.

Lidhuni me ne