Interneti është një shërbim relativisht i ri në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit përdorimi i internetit është rritur në mënyrë të ndjeshme. Të dhënat nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), tregojnë se nëse në vitin 2000 interneti përdorej vetëm nga 0,1% e popullsisë, në vitin 2012 ai përdoret nga thuajse 48.1 % e popullsisë. Numri i përdoruesve të Facebook në vend ka arritur në 1.1 milionë në vitin 2014. Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat, përdorimi i internetit në Shqipëri arriti në 60.1% të popullsisë në vitin 2014. Tashmë është një realitet i pranuar që shumica e fëmijeve kalon një kohë të konsiderueshme në internet.
Kjo lloj media natyrisht që është mjaft tërheqëse për fëmijët dhe të rinjtë, për shkak se natyra interaktive i përshtatet moshës së tyre, si dhe për shkak të risisë dhe prakticitetit që ka sjellë ky zhvillim. Edhe në Shqipëri, me depërtimin e ngadaltë, por gjithnjë e më të shtrirë të infrastrukturës që mundëson përdorimin e internetit, përdorimi I internetit nga moshat e reja haset gjithnjë e më shpesh.
Në dhjetor 2013 – janar 2014, 900 fëmijë të moshës 13 – 18 vjeçare, u intervistuan në Shqipëri nga World Vision, në lidhje me internetin. Sipas kësaj ankete 85% e të rinjve të anketuar kanë një kompjuter në shtëpi dhe 62% e fëmijëve që kanë akses në internet kanë një kompjuter në dhomën e tyre të gjumit. Ngacmimet (bullying), vjedhja e fjalëkalimeve, si dhe shikimi i paqëllimshëm i materialeve pornografike gjatë përdorimit të internetit janë çështje serioze me të cilat përballen fëmijët aktualisht, ku 45% e të pyeturve vunë në dukje se fëmijëve iu duhet të përballen me të tilla çështje çdo ditë. Sipas 44% të të pyeturve, fëmijët shohin materiale pornografike çdo ditë. 47% e fëmijëve të invervistuar pranojnë që, brenda vitit të fundit, ata janë kontaktuar online nga një individ i panjohur.
Sipas një ankete të zhvilluar në vitin 2011 nga UNICEF dhe Instituti Shqiptar i Medias 4/5 e fëmijëve të intervistuar e përdorin internetin të paktën një herë në ditë. Shumica prej tyre e përdor në shtëpi por gjysma e tyre e përdor edhe në celular. Sipas këtij studimi fëmijët dhe të rinjtë që përdorin internetin janë pothuajse autodidaktë dhe shpesh iu mungon një kujdestar në lidhje me lundrimin në internet.
Ekziston një politikë qeveritare për të mbështetur ngritjen e qendrave kompjuterike dhe internetit në çdo shkollë të Shqipërisë. Ky projekt i madh mundëson përdorimin e internetit jo vetëm për shkollat në zonat urbane, por edhe në zonat rurale të financuara kryesisht nga fondet publike. Në vitin 2005 Ministria e Arsimit me ndihmën e UNDP filloi zbatimin e projektit “e-schools”. Gjatë kësaj kohe janë paisur me laborator kompjuterik 379 shkolla të mesme dhe 800 shkolla fillore. Kjo politikë edhe pse është parë si një hap pozitiv për të rritur aksesin e fëmijëve në informacion, pa mekanizmat e mbrojtjes së duhur mund të paraqesë rrezik për fëmijët.
Qëllimi i kësaj Platforme është të bashkërendojë përpjekjet për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima, për të identifikuar materialet me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet, për të informuar prindërit mësuesit, fëmijët etj, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional.